Kanë nisur punimet për trajtimin dhe largimin e materialeve që përmbajnë azbest në objektin e vjetër “Tulltorja”, i cili gjendet pranë shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë. Kjo iniciativë është pjesë e angazhimit tonë konkret për përmirësimin e sigurisë mjedisore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Azbesti është një material me rrezik të lartë për shëndetin, veçanërisht kur shpërbëhet dhe grimcat e tij shpërndahen në ajër. Prania e tij në objekte të braktisura apo të dëmtuara përbën rrezik të drejtpërdrejtë për banorët dhe fëmijët që frekuentojnë zonën përreth, duke e bërë ndërhyrjen urgjente dhe të domosdoshme.
Projekti synon jo vetëm largimin e këtij rreziku, por edhe transformimin e hapësirës në një ambient të sigurt dhe të pastër. Me këtë angazhim, po kontribuojmë në mbrojtjen e shëndetit publik, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe përforcimin e standardeve të qëndrueshmërisë në zonat urbane.
Falënderojmë UNDP Kosovo për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë projekt me rëndësi të veçantë për komunitetin. Ky është një shembull konkret se si përmes partneritetit mund të sjellim ndryshime reale për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të sigurt për të gjithë.